Miliona euro dëm shtetit, Gjykata e Fierit vendos për të arrestuarit e kompanisë “Bankers”

Nga A2 CNN
5 Korrik 2025, 18:03 | Kronikë

Miliona euro dëm shtetit, Gjykata e Fierit vendos për të

Gjykata e Fierit ka lënë në fuqi masat e sigurisë për drejtuesit dhe punonjësit e kompanisë “Bankers Petroleum”, të arrestuar në kuadër të hetimeve për evazion fiskal dhe mashtrim me të ardhurat.

Në sallën e gjyqit të pandehurit janë shprehur se janë të pafajshëm duke mos pranuar asnjë nga akuzat e ngritura nga prokuroria e Fierit .

Sipas avokatit mbrojtës të ish administratorit Leonidha Çobo, prokuroria ka gabuar rëndë procedurialisht duke e marrë në hetim klientin e tij, pasi të gjitha pretendimet e ngritura janë trajtuar nga vetë Prokuroria Fier në vitet 2020-2021, ku në përfundim është kërkuar pushimi i hetimeve.

Po kështu, çdo pretendim për fshehje të të ardhurave gjatë periudhës kur administrimi i Bankers është kryer nga z. Çobo, është trajtuar nga Gjykata e Arbitrazhit në Paris.

Po sipas avokatit Maksim Sota , Çobo në seancë është prekur moralisht duke thënë se po dëmtohet imazhi i tij padrejtësisht me akuza të padrejta.

Me vendim të Gjykatës së Fierit u lëshuan 14 urdhër arreste, 9 prej tyre të ekzekutuar dhe 5 kinezë ende në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.

Arrestimi i drejtuesve të Bankers Petroleum me akuzat për fshehje të të ardhurave shënon vetëm kulmin e një marrëdhënieje të tensionuar mes kompanisë kineze dhe shtetit. Historia e përplasjeve në mbi dy dekada “bashkëjetesë të trazuar” mes kompanisë kineze e ka zanafillën shumë më herët.

Operacioni policor u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos