Ministri Manja: Drejtësia duhet të jetë jo vetëm të pavarur, por edhe llogaridhënëse

Nga A2 CNN
8 Korrik 2025, 11:26 | Kronikë

Ministri Manja: Drejtësia duhet të jetë jo vetëm të

Ministri i Drejtësisë, Uli Manja ka vlerësuar ditën e sotme reformën në drejtësi, veçanërisht rolin e SPAK.

Gjatë fjalës së tij në tryezën “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në Funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësinë dhe Mekanizmat e Llogaridhënies”, ministri Manja tha se SPAK është një nga arritjet më të prekshme të reformës në drejtësi.

Ai shtoi se SPAK është një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit dhe profesionalizmit, shkruan A2 CNN.

Manja tha gjithashtu se pavarësia nuk duhet të jetë një qëllim në vetëvete, pasi sipas tij, duhet të shoqërohet me mekanizma të llogaridhënies.

“Përgjegjësi për mua të marr pjesë në këtë diskutim të rëndësishëm, që prek një nga çështjet më themelore të reformës në drejtësi: balancën mes pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë penale, me fokus të veçantë në rolin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – SPAK.

Reforma në drejtësi, e mbështetur gjerësisht nga qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, ka pasur si objektiv kryesor ndërtimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe efektiv. SPAK është një nga arritjet më të prekshme të kësaj reforme – një strukturë e ndërtuar mbi themelet e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë funksionale.

Por, siç e thekson me të drejtë edhe Raporti që u prezantua sot, pavarësia nuk është një qëllim në vetvete. Ajo duhet të shoqërohet me mekanizma të qartë dhe efektivë të llogaridhënies, për të garantuar që fuqia e dhënë institucioneve të drejtësisë të mos kthehet në vetë-referencë, por të shërbejë interesit publik dhe sundimit të ligjit”, tha mes të tjerash Manja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos