Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, pranë KQZ-së, gjeti në shkelje ish-sekretarin e përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi, për mosraportimin e dy aktiviteteve publike, duke vendosur gjobitjen e tij me 6 mijë lekë.
Bëhet fjalë për aktivitetin e fundit publik të Erion Veliajt përpara arrestimit, inaugurimin e kopshtit 44, si edhe mitingun e Edi Ramës me stafin e Bashkisë, pas arrestimit të Veliajt.
Teksa Erion Veliaj prej 70 ditësh qëndron i izoluar në paraburgim, një nga njerëzit më të besuar të kryebashkiakut të Tiranës gjendet në gabim nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, pranë KQZ-së. Alban Dokushi, ish-sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, u gjobit dy herë pasi nuk kishte respektuar nenet e Kodit Zgjedhor për raportimin e dy aktivitete publike.
KQZ kishte konstatuar se në aktivitetin e transmetuar në 10 shkurt, ditë në të cilën vetë Veliaj u arrestua, Bashkia e Tiranës nuk kishte raportuar prezencën e dy deputetëve socialistë, Plarent Ndreca dhe Ermonela Felaj në inaugurimin e kopshtit Luleborë. Tashmë i shkarkuar nga detyra, Dokushi nuk u paraqit personalisht për t’u mbrojtur, por kishte dërguar me shkrim.
Gjoba e dytë kishte të bënte me mitingin e organizuar nga Edi Rama në datën 20 shkurt në Sheshin Skënderbej me stafin e Bashkisë së Tiranës, pas arrestimit te Veliaj. Bashkia e kishte konsideruar takim pune ndaj nuk kishte raportuar në KQZ.
Argumentet në letër të Bashkisë nuk bindën KAS i cili jo vetëm aprovoi kërkesën për gjobë, por e trefishoi atë nga 2 mijë lekë në total për të dyja shkeljet, sic kishte propozuar kryekomisioneri Celibashi, në një gjobë prej 6 mijë lekë të reja. (A2 Televizion)