
Një telefonatë mbi një orë mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka shkaktuar zhvillime të menjëhershme në frontin libanez, duke ndikuar në pezullimin e një operacioni ushtarak të planifikuar në Bejrut.
Sipas raportimeve nga media ndërkombëtare, pas kësaj bisede të tensionuar, Shtetet e Bashkuara kanë shtyrë me urgjencë përpara përpjekjet diplomatike për një marrëveshje armëpushimi në Liban, me synimin për të ndalur përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Burime të ndryshme bëjnë me dije se një operacion i gjerë i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në Bejrut është anuluar në minutat e fundit, pas ndërhyrjes së Uashingtonit. Vendimi ka shkaktuar debat të fortë politik në Izrael, ku opozita ka kritikuar qeverinë për mënyrën e menaxhimit të situatës dhe për presionin e jashtëm në vendimmarrje.
Pavarësisht zhvillimeve diplomatike, situata në terren mbetet e brishtë. Në jug të Libanit dhe në zonat kufitare raportohen ende përleshje sporadike dhe sulme të kufizuara, duke mbajtur të lartë rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm. (A2 Televizion)