U kap duke ndezur zjarr, arrestohet 62-vjeçari në Mirditë, autor i 5 vatrave në ditët e fundit

Nga A2 CNN
22 Gusht 2026, 10:49 | Kronikë

U kap duke ndezur zjarr, arrestohet 62-vjeçari në Mirditë,

Policia ka arrestuar në flagrancë duke ndezur zjarr një 62-vjeçar në Mirditë. Shtetasi Anton Deda ka precedentë të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme. Sipas “bluve” vetëm gjatë ditëve të fundit ky person kishte ndezur 5 vatra të tjera zjarri.

62-vjeçari u kap në kuadër të operacionit policor të koduar “Piromani 2”, pas një pune gjurmuese 48-orëshe, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe ndjekjes në terren me pajisje dron, pasi dyshohej se merrej me zjarrvënie të qëllimshme.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Piromani”, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. D., 62 vjeç, banues në fshatin Rraja e Valës, Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë”, thuhet në njoftimin e Policisë. 

Arrestimi i tij u krye për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”. Në momentin e kapjes, 62-vjeçari sapo kishte ndezur një vatër zjarri në fshatin Rraja e Valës. Nga veprimet hetimore dhe ndjekja në terren është dokumentuar se, gjatë ditëve të mëparshme, ky shtetas kishte ndezur edhe 5 vatra të tjera zjarri. Si pasojë e zjarreve, është përfshirë nga flakët një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh, ndërsa vijon puna në terren për shuarjen e plotë të zjarrit dhe vënien nën kontroll të tij. Shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit. Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. D. ka precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme”, vijon njoftimi. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos