Me 23-24 gusht Kryeministri Edi Rama ka thirrur në vilat qeveritare në Pogradec kryetarët e komisioneve, drejtuesit politik dhe ministrat për të kaluar në sitë një nga një punën e secilit.
Korrespondenti i A2CNN Artin Halili zbuloi për emisionin “Ditari i Fundjavës” nga Denisa Pasholli disa detaje nga përgatitjet. Mësohet se sot në qytetin liqenor do të mbërrijë ministri Ervin Demo, për të ndjekur nga afër përgatitjet.
Dita e parë e diskutimeve do të fokusohet në çështjet politike, ndërsa e dyta do të jetë ditë llogaridhënie për anëtarët e kabinetit dhe jo vetëm.
Në Pogradec ka forca të shtuara sigurie, ndërkohë që mbledhjet do të mbahen në ambientet e jashtme të vilave qeveritare.
“Do të jetë një llogaridhënie për punët e bëra nga ana e ministrive respektive, por edhe një diskutim tjetër, sepse është i ndarë në dy faza. Ditën e nesërme nis në orën 11:30 minuta, do të bëhet mbledhja me drejtuesit politik të qarqeve, që do të diskutojnë dokumentin e ‘Besës’, për të parë se sa ka avancuar ky dokument, nga ana e deputetëve apo drejtuesve politik të qarqeve, në terren me banorët e gjithë zonave të Shqipërisë. Dita e parë do të jetë e fokusuar te politika, ndërsa dita e dytë do jetë ditë llogaridhënie të ministrave. Mbledhja do të mbahet në ambientet e jashtme të godinës, pasi godinat s’janë aq të mëdha që mund të marrin gjithë të pranishmit. Ka forca të shtuara të sigurisë. Sot pritet që të vijë ministri i Pushtetit vendor Ervin Demo, që do të ndjekë nga afër situatën e përgatitjeve”, raporton Artin Halili. (A2 Televizion)