Në gjykim për mashtrim kompjuterik, SPAK kërkon konfiskimin e pasurisë me vlerë 2 milionë euro të dy anëtarëve të një organizate kriminale

Nga A2 CNN
3 Mars 2026, 13:24 | Kronikë

Në gjykim për mashtrim kompjuterik, SPAK kërkon konfiskimin e

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara me vendimin nr.1 datë 7.2.2025 të Gjykatës së Posaçme, në kuadër të procedimit pasuror nr.8 i vitit 2024 ndaj shtetasve Jusel Mici, Mendim Domi.

Domi dhe Mici u shkaktuan qytetarëve evropianë një dëm prej 15 milionë eurosh nëpërmjet skemave të mashtrimit me Call Center-a. Ata u dënuan me 3 vite burg nga Gjykata e Posaçme, por Apeli e rrëzoi këtë vendim duke e rikthyer dhe njëherë çështjen për gjykim.

“Të dy shtetasit janë subjekte të hetimit pasuror sipas Ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 dhe po gjykohen nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 166 të vitit 2021 për veprat penale* (shih shënimin për gazetarët).

Mbi bazën e dispozitave të Ligjit nr. 10192 datë 3.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ndryshuar me ligjin nr.70/2017, janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me ta.

Si rezultat i hetimeve të kryera, pasuritë e sekuestruara rezultuan  të pajustifikuara nga burime të ligjshme, për të cilat prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale”, thotë SPAK.

Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi:

Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë;

Njësi shërbimi me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Bulevardit të Ri;

Vila në Gjirin e Lalzit dhe në komplekse turistike rezidenciale;

Sipërfaqe toke (arë) në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk;

Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë;

Automjete të markave BMW dhe Audi;

Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.;

Llogari bankare në Union Bank me balanca në euro dhe lekë.

Totali i të gjithë vlerës së pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi  për shtetasit J.M. dhe M.D. si dhe personat e lidhur me ta është: 1,976, 870(një milion e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë) euro dhe  9,330,062(nëntë milionë e treqind e tridhjetë mijë e gjashtëdhjetë e dy) lekë.

Veprat penale për të cilat akuzohen dy personat janë “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a dhe 334 të K.Penal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos