Gjykata e Posaçme la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Dorian Beun, i arrestuar dy ditë më parë teksa shkonte për pelegrinazh në malin e Tomorit. Beu akuzohet për “prodhim e shitje të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”, ndërsa masa në mungesë ndaj tij ishte caktuar nga Gjykata e Posaçme në janar 2023.
Në sallën e gjyqit, përmes avokatit të tij, Andi Hasanaj, Beu ka kërkuar një masë më të butë, duke pretenduar se për të njëjtin fakt penal po procedohej nga autoritetet italiane. Në vendin fqinj, ai është arrestuar në tetor 2023 dhe ndaj tij është caktuar fillimisht masa e “arrestit në shtëpi”. Dy muaj më vonë, një gjykatë italiane ka vendosur lirimin e tij dhe vijimin e hetimit në gjendje të lirë.
Sipas hetimit të përbashkët mes SPAK-ut dhe autoriteteve italiane, Dorian Beu ka qenë pjesë e një grupi kriminal të angazhuar në trafikimin e kokainës, kanabisit dhe marijuanës. SPAK pretendon se ka dokumentuar tregtimin e 120 kilogramëve kokainë, 15 kilogramëve heroinë shumë të pastër, si dhe 129 kilogramëve marijuanë e 92 kilogramëve hashash, të sekuestruara në Itali në disa episode të ndryshme.
Veprimtaria kriminale e këtij grupi është zhvilluar gjatë periudhës kohore nga viti 2015 e në vazhdim dhe është shtrirë në Shqipëri, kryesisht në Durrës, si dhe në qytete të ndryshme në Itali, si në Bergamo, Breshia, Milano e Torino, ku është kryer transportimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike. (A2 Televizion)