Në kërkim për vrasjen e Edmond Papës, arrestohet pas dy vitesh në Memaliaj Andrew Bode

Nga A2 CNN
28 Gusht 2024, 10:26 | Kronikë

RENEA dhe policia e Gjirokastrës kanë arrestuar Endrju (Andrew) Boden i shpallur në kërkim për vrasjen e Edmond Papës. Nga operacioni "Plani", janë arrestuar gjithashtu edhe Julian Kalemi dhe Andrea alias Adriatik Kalemi. Babai i këtij të fundit u vra në korrik të këtij viti ne Memaliaj. Bode, i njohur si njeri me rrezikshmëri shoqërore u arrestua në shtëpinë e Kalemajve në Memaliaj.

“Në kuadër të operacionit të zhvilluar në Memaliaj, në banesën e shtetasit J. K., Policia kapi dhe arrestoi shtetasin e shpallur në kërkim E. B alias A. B., 45 vjeç, banues në Tiranë. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2022, ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të tjerë, dyshohet se janë autorët e vrasjes së shtetasit E. P.. Në vijim të veprimeve proceduriale, Seksioni për  Hetimin e Krimeve të Rënda arrestoi shtetasin J. K., 42 vjeç, i cili ka strehuar shtetasin në kërkim”, njofton Policia.

Gjatë operacionit në Memaliaj u vu në pranga dhe Andrea alias Adriatik Kalemi. Gjatë kontrollit në shtëpi u gjet armë zjarri, armë gjahu, antiplumb, silenciatorë, municion luftarak, rreth 40 mijë euro, 438 mijë lekë të rinj dhe 3470 dollarë. 

“Operacioni ka vijuar në Memaliaj, duke kryer kontroll në banesën e shtetasit A. K.. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë. Shtetasi A. K., 52 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", njofton Policia.

Ngjarja ndodhi në dhjetor të dy viteve më parë, ku Bode në bashkëpunim me dy të tjerë qëlloi për vdekje 49-vjeçarin Edmond Papa. Njëri prej tyre u arrestua në janar të 2023-shit. Papa sapo kishte dalë nga banesa e tij në Selitë të Tiranës dhe i është drejtuar një kafeneje të zonës në momentin e vrasjes. 49-vjeçari ishte pronar i një hoteli në Sarandë dhe ishte person i skeduar më parë nga policia në fushën e narkotikëve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos