Nga konflikti në “Principote” te goditja me thikë në plazh, zbardhet dinamika e vrasjes së turistit portugez në Ksamil

Nga A2 CNN
18 Gusht 2026, 21:49 | Kronikë

Nga konflikti në “Principote” te goditja me thikë në

Detaje të reja kanë dalë në dritë për vrasjen e turistit 20-vjeçar portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, ngjarje e rëndë e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e “Paradise”.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, ngjarja ka nisur rreth orës 05:15, pas një konflikti mes disa personave në ambientet e “Principote”. Përplasja më pas është zhvendosur në zonën e plazhit, ku situata ka përshkallëzuar.

Sipas hetimeve, 29-vjeçari Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur disa herë me thikë turistin portugez në trup. Në të njëjtën kohë, David Heurtevent, i cili është shpallur në kërkim, dyshohet se e ka goditur me grushte 20-vjeçarin.

Për të dy rëndon akuza për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rolit të secilit person në konflikt.

Kamarierët dyshohet se goditën turistin para plagosjes me thikë

Sipas Policisë, në konflikt janë përfshirë edhe katër kamarierë të lokalit “Principote”: Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina dhe Ildi Cekani.

Ata dyshohet se e kanë goditur me grushte turistin portugez para momentit kur Sokrat Vata e goditi me thikë. Pas ngjarjes, katër kamarierët janë larguar nga vendi i ngjarjes. 

Si u kap i dyshuari kryesor

Pas vrasjes, Sokrat Vata u kap në Levan të Fierit, teksa ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Në automjet ndodheshin shtetasit turq Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, dhe Ezgi Perlak, 31 vjeçe.

Sipas hetimeve, dy shtetasit turq kishin njohje me Vatën dhe dyshohet se po e ndihmonin të largohej drejt Tiranës. Ata janë arrestuar dhe përballen me akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.

Në momentin e konfliktit, në “Principote” ndodheshin edhe katër persona që punonin në siguri: Miosid Matushaj, Luciano Seferi, Romeo Shehu dhe Kristi Koshi.

Sipas Policisë, ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe pas ngjarjes nuk kanë njoftuar autoritetet.

Për Miosid Matushajn rëndojnë akuzat për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”, ndërsa për Luciano Seferin, Romeo Shehun dhe Kristi Koshin është referuar vepra penale “Moskallëzim i krimit”.

Në momentin e ngjarjes në ambientet e “Principote” ka qenë edhe pronari i lokalit, Bekim Bulica. Sipas Policisë, ai është larguar pas ngjarjes pa njoftuar autoritetet.

Bulica është shpallur në kërkim dhe ndaj tij është referuar vepra penale “Moskallëzim i krimit”.

Në total, në lidhje me ngjarjen janë arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë, David Heurtevent dhe Bekim Bulica, janë shpallur në kërkim. Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Sarandës, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësive të secilit person të përfshirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos