Vrasja e turistit portugez në Ksamil, arrestohen 11 persona dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë

Nga A2 CNN
18 Gusht 2026, 20:32 | Kronikë

Vrasja e turistit portugez në Ksamil, arrestohen 11 persona dhe shpallen

Policia ka arrestuar 11 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë në lidhje me vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 18 gushtit në ambientet e lokalit “Principote”.

Sipas Policisë, viktima, 20-vjeçari portugez L. V., dyshohet se u godit disa herë me thikë gjatë një konflikti mes disa personave. I dyshuari kryesor për vrasjen, 29-vjeçari S. L., alias S. V., u kap në Levan të Fierit, teksa ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që po udhëtonte drejt Tiranës.

Në automjet ndodheshin edhe dy shtetas turq, 31-vjeçarja E. P. dhe 38-vjeçari N. M., të cilët, sipas hetimeve, kishin njohje me të dyshuarin dhe e kishin fshehur në automjet për ta ndihmuar të largohej.

Në lidhje me ngjarjen, Policia ka arrestuar gjithashtu disa persona të tjerë, mes tyre kamarierë dhe punonjës të sigurisë së lokalit. Sipas hetimeve, disa prej tyre dyshohet se janë përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen, ndërsa të tjerë akuzohen se nuk kanë njoftuar autoritetet pas ngjarjes.

Policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona, D. H., 29 vjeç, dhe B. B., 36 vjeç. Sipas hetimeve, D. H. dyshohet se ka goditur me grushte viktimën gjatë konfliktit dhe akuzohet, së bashku me S. L., për “vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin edhe katër persona me detyra sigurie, për të cilët Policia thotë se nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit dhe më pas nuk kanë njoftuar autoritetet.

Në total, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 persona gjatë veprimeve hetimore.

Materialet për 13 personat e përfshirë në hetim janë referuar në Prokurorinë e Sarandës. Për të dyshuarin kryesor dhe personin e shpallur në kërkim rëndon akuza për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, ndërsa për personat e tjerë janë ngritur dyshime për “Përkrahje të autorit të krimit”, “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos