SPAK godet një grup të strukturuar kriminal, zbardhen 8 raste trafiku kokaine, sekuestrohen 12 mln euro

Nga A2 CNN
15 Prill 2026, 17:20 | Kronikë

SPAK godet një grup të strukturuar kriminal, zbardhen 8 raste trafiku

SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me operacionin e raportuar paraditen e sotme nga A2 CNN.

Prokuroria e Posaçme bën me dije se, janë goditur 8 episode të trafikimit të kokainës gjatë viteve 2019-2021, në bashkëpunim me rrjete që operonin në Amerikën Latine dhe në disa shtete të Europës, përfshirë Holandën dhe Belgjikën.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet ligjzbatuese në disa vende europiane. Me vendim të GJKKO-së, janë caktuar masa sigurie “arrest në burg” për 11 shtetas shqiptarë, ndërsa disa prej tyre janë ende në kërkim.

Hetimet kanë zbardhur raste të shumta të trafikut të drogës, ku përfshihen sasi të mëdha kokaine të fshehura në kontejnerë me produkte ushqimore dhe të transportuara drejt porteve europiane, kryesisht në Roterdam.

Ndërkohë, gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 232 pasurive, me një vlerë totale rreth 12 milionë euro. Mes tyre përfshihen kompani, prona të paluajtshme, automjete dhe llogari bankare të personave nën hetim.

8 episodet e trafikut të lëndës narkotike

Episodi 1 – Janar- Mars 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike kokainë gjatë periudhës Janar-mars 2020. Nga kjo sasi, më 21.03.2020 u sekuestrua një sasi prej 8.5 kg në qytetin e Amsterdamit të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 2 –   7-8 Prill 2020 –  Trafikimi i një sasie prej 1,018 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Peruja drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije kolumbiane ndërsa lënda narkotike ishte fshehur në një enë frigoriferike që përmbante lëng frutash të ngrira. Vlera e shitjes ishte mbi 1.3 milionë euro.

Episodi 3 – 6 Qershor 2020 – Trafikimi i një sasie prej 2020 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit të Hollandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador dhe ishte e destinuar për një kompani në Hungari. Një pjesë e kësaj ngarkese i përkiste këtij grupi kriminal.

Episodi 4 – 26 Qershor 2020 –  Tentativa e trafikimit të një sasie prej 516 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Terminalin Portual Muelle Sur, DP Ëorld Callao, Peru, si dhe e destinuar për në Mbretërinë e Hollandës.

Episodi 5  – 30 Qershor 2020 –  Trafikimi i një sasie prej 500 kg lënde narkotike kokainë më, e sekuestruar në Portin e Roterdamit, që kishte ardhur në një kontejner nga Kolumbia që përmbante konserva me peshk ton dhe ishte i destinuar për një kompani në Gjermani.

Episodi 6  –  7 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie të konsiderueshme lënde narkotike e llojit kokainë, e llogaritur në rreth 1600 kg, prej së cilës është sekuestruar një sasi prej 104 kg po në të njëjtën datë në autostradën nr A2 pranë qytetit Abcoude të Mbretërisë së Holandës.

Episodi 7 –  16 Gusht 2020 –  Trafikimi i një sasie rreth 1100 pako me peshë bruto 1238,39 kg lënde narkotike kokainë, e cila ishte ishte fshehur në një ngarkesë me banane në një kontenier që vinte nga Ekuadori drejt Portit të Roterdamit në Hollandë dhe kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare e ardhur nga Porti i Antëerp, e destinuar për një kompani në Hagë.

Episodi 8 – 1 –  2 Tetor 2020 –  Trafikimi i një sasie prej  531 kg lënde narkotike kokainë në Portin e Roterdamit, Hollandë, sasi e cila është kapur nga autoritetet holandeze, e fshehur në një kontenier të ngarkuar me rrush të thatë, i destinuar për në Suedi.

Pasuri të sekuestruara: 12 milionë euro

Shoqëri tregtare dhe kuota në kompani

Dhjetëra prona si toka, apartamente, hotele dhe ambiente parkimi në disa qytete të vendit

89 automjete të ndryshme

72 llogari bankare (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos