Një arkiv fotografik, arvanitasi na zbulon një ditar të luftës greko-italiane në Shqipëri

Nga Luela Myftari
22 Shtator 2025, 17:55 | Kronikë

Në periudhën e luftës italo-greke, në ditarin e tij përshkruan me detaje operacionet ushtarake të ushtrisë greke kundër forcave italiane në Shqipërinë e Jugut, por njëkohësisht pasqyron edhe jetën e përditshme të banorëve të zonave ku kaloi dhe qëndroi, kryesisht përreth Pogradecit dhe Maliqit. Fotot dhe shënimet sjellin në fokus fshatrat, vendet arkeologjike, profesionet, zakonet dhe vështirësitë e luftës. Janë shënimet dhe memoria e mbetur në ditar dhe në fokusin e aparatit të Christos Mesogeitis, një arkeolog arvanitas.

Autori, i cili u nda nga jeta në vitin 1944 pak para çlirimit të Greqisë, la pas një dëshmi të çmuar historike që tashmë u prezantua për publikun shqiptar nga pasardhësi i tij, Petro Filipi.

“Jam shumë i lumtur që pas 85 vjetësh hap këtë ekspozitë fotografish të gjyshit tim arvanitas, Petros Mesogjitis. Këto fotografi janë të botuara në libër nga gjyshi im dhe pas kaq kohësh arritëm që t’i sjellim për herë të parë në një ekspozitë. Mesogjitis kishte mbaruar për arkeologji dhe më pas u angazhua në luftën italo-greke me forcat greke. Gjatë asaj periudhe ka mbajtur ditar rreth luftës dhe vendeve ku kalonin, duke shkrepur edhe foto. Ai ka ndihmuar në atë periudhë edhe familjet e varfra gjatë kohës që ka qenë në këtë zonë”, tha Petro Filipi, nipi, shkruan A2 CNN.

Kjo ekspozitë nuk kufizohet vetëm tek ngjarjet ushtarake, por ndalet edhe tek njerëzit e thjeshtë, duke dhënë një panoramë të plotë të jetës gjatë luftës.

Libri dhe ekspozita i dedikohen zonës së Maliqit dhe Pogradecit. Flitet për vështirësitë që haste ushtria në malet me dëborë gjatë luftës. Imazhet përcjellin edhe zona që sot nuk ekzistojnë më, si liqeni i Maliqit, kullat tre deri në katër kate në fshatrat e Pogradecit dhe jetën e fermerëve në fshatra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos