Kjo është fuoristrada e bërë shoshë nga plumbat, ku ndodheshin babë e bir dhe një i tretë që mbeti i plagosur.
Dy viktimat po ktheheshin nga shtëpia e vjetër nga Dukagjini drejt Shkodrës, kur ende pa dalë nga rruga e fshatit Xhan, dy shtetas ende të paidentifikuar qëlluan në drejtim të tyre, duke lënë të vdekur babë e bir dhe duke plagosur një tjetër.
Nisur nga brutaliteti i këtij atentati mund të quhet një mrekulli që Lazër Bashi, personi i tretë që ndodhej në mjet, i shpëtoi vdekjes, shkruan A2. Menjëherë në vendngjarje mbërritën dhjetra forca policie dhe efektivë të RENEA, të cilët kanë konstatuar në vendngjarje mbi 50 gëzhoja plumbash, ndërsa mendohet se janë përdorur dy armë, një automatik kallashnikov dhe një MP5.
Paraprakisht, të afërmit e viktimave kanë treguar për policinë se Prelë dhe Lekë Gjoni nuk kishin konflikte dhe sipas tyre nuk kanë asnjë ide se kush mund të jenë autorët e vrasjes.
Sakaq, policia po verifikon edhe divorcin e 57-vjeçarit tre muaj më parë me bashkëshorten e tij me të cilën ka 4 fëmijë. Megjithatë, ende nuk ka prova konkrete që e lidhin vrasjen me divorcin.
Edhe për policinë, dy viktimat nuk njiheshin si persona problematikë. Lekë Gjoni punonte me një kamion dhe po ashtu kishte edhe një eskavator bashkë me një shtetas tjetër të zonës që punonin bashkë, duke e bërë akoma më misterioze këtë pritë të mirëorganizuar.
(A2 Televizion)