Qëlloi me armë drejt një automjeti në Kuçovë, arrestohet 32-vjeçari

Nga A2 CNN
24 Gusht 2026, 10:54 | Kronikë

Qëlloi me armë drejt një automjeti në Kuçovë,

Policia e Kuçovës ka arrestuar brenda pak orësh autorin e dyshuar të të shtënave me armë zjarri ndaj një automjeti të parkuar në lagjen “1 Maji”. Në pranga ra 32-vjeçari me iniciale A. Ç., ndërsa u arrestua edhe një 49-vjeçar, i dyshuar për përkrahje të autorit.

Gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri dhe municion, që dyshohet se janë përdorur në ngjarje. Po ashtu, një 65-vjeçar u procedua në gjendje të lirë për pengim të zbulimit të së vërtetës.

Njoftimi i Policisë Kuçovë

Qëlloi me armë zjarri drejt një automjeti të parkuar, brenda pak orëve kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Në pranga edhe një shtetas tjetër, i dyshuar për përkrahjen e autorit të krimit. Sekuestrohen arma e zjarrit dhe municion.

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 23.08.2026, për ngjarjen e ndodhur në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Berat dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, vijuan veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe punës së koordinuar, në Tiranë, u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasve A. Ç., alias A. Gj., 32 vjeç, dhe A. Xh., 49 vjeç, të dy banues në Kuçovë.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Xh., në tarracë u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se lidhen me ngjarjen.

Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i shtetasve:

- A. Ç., për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

- A. Xh., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. Gj., 65 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos