"Nuk i njoh Avdylajt, Ndojin e kam takuar 2-3 herë", vëllai i "Rrumit" në gjyq: Ka pësuar traumë, mbeti invalid nga atentati

Nga A2 CNN
17 Tetor 2025, 13:02 | Kronikë

"Nuk i njoh Avdylajt, Ndojin e kam takuar 2-3 herë", vëllai

Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, rrëfeu në Gjykatën e Posaçme se si mësoi për atentatin ku mbeti i plagosur vëllai i tij dhe ish-prokurori Arjan Ndoja, e po ashtu ndërroi jetë shoferi Andi Maloku.

Si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj Plaurent Dervishajt e Julian Meçes, Muça tha se nuk i njihte të pandehurit.

“Nuk i njoh. Kam dëgjuar si emër Plaurentin, se të dy nga Durrësi, por s’kam lidhje me të. Aleksandër Lahon e kam vëlla. Në 2019 e kanë plagosur, e kam parë nga televizori, isha në palestër. Më mbrapa mora vesh që ka qenë në mjet me Andi Malokun, Arjan Ndojin. Po vinte nga rruga e plazhit. Pasi shkova në spital na ra si bombë se me këto palë nuk kemi pasur asnjë konflikt, pse u bë, qysh u bë. Sepse ai ka qenë shumë i aksidentuar, edhe sot është gati invalid. Ai thotë na kanë gjuajtur nga mbrapa, dhe një plumb e ka kapur në kokë, andaj ai s’mban mend asgjë. Doktorët thonë ka pësuat traumë", tregoi Muça.

Dëshmitari tha se familja e tij ishte përpjekur të mësonte të vërtetën, përtej punës që po bënte drejtësia.

"Informacionet më të detajuara i ka shteti. Nuk mund ta di se nuk kemi pasur njeri më para. Kanë ardhur njerëz për vizitë. Arjan Ndojën e kam takuar nja 2-3 herë. Ka thënë t’ia lëmë kohës, se nuk e dinim nga na kishte ardhur. Me familjen e Andi Malokut njihemi si bashkëfshatarë", vijoi ai.

I pyetur nga avokati i Dervishajt, se përse kishte mbërritur i shoqëruar nga policia në sallë, dëshmitari tha: “Më kanë dhënë ca dokumente. Jam arrestuar për punë ca mesazhesh, punë pronësie”.

“Bashkim Haxhinë e njoh si emër në televizor. Nuk jam marrë më falsifikim të pronësisë. Janë dyshime, nuk është e provuar. Plaurent Dervishin e njoh si qytetar Durrësi, si kontingjent kriminal. Nga gojëdhënat thuhet se ka patur grup kriminal, por nuk më ka interesuar fare. Aldo Avdylin nuk e njoh. Nuk di a e njeh vëllai. Astrit Avdylin e njoh si çam nga Shijaku. Enea Kumen nuk e njoh. Alfred Dokën, nuk e njoh, nuk e kam idenë fare. Duhet me pyet vëllain a i njeh.  Ermir Dedjan, mora vesh që kishte fisin aty nga televizori.  Me Edmond Çekiçin kurrë s’kam pasur konflikt.  Ermir Bregun nuk e njoh fare. Nuk kam komunikuar me Aldo Avdylin për ta vrarë. Ilir Kokalarin, kurrë se kam dëgjuar.  Arjan Ndoja s’e di pse vinte në Sukth, nuk e mbaj mend ekzaktësisht sa vjet e njoh. Andi Maloku përfundoi si shofer nga Arjani. E di gjithë njerëzimi", ka shtuar ai më tej.

Në vijim dëshmitari ju përgjigj po negativisht pyetjes nëse e njihte gjyqtarin e ndjerë Skerdilaid Konomi, i cili u vra në një atentat me eksploziv në Vlorë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos