
Prokuroria e Posaçme, SPAK, ngriti akuza ndaj tetë personave të dyshuar si një grup kriminal që paracaktonte fituesit e tenderave tek AKSHI, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, pjesë e të cilit ishin drejtuesja e institucionit dhe disa biznesmenë.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme miratoi masën e “arrestit në shtëpi” për titullaren e AKSHI, Arlinda Karçanaj dhe masat “arrest në burg” për biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Agjentët e BKH mundën të ekzekutonin masën ndaj Karçanajt, por nuk gjetën dy biznesmenët. SPAK evidentoi si pjesë të grupit kriminal edhe Erion Ismailin, zv/drejtorin e Policisë së Tiranës, për të cilin u caktua masa e “pezullimit nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Masa sigurie më të buta se “arresti në burg” u caktuan dhe ekzekutuan edhe për zëvendësen e Karçanajt, si edhe tre administratorë kompanish private. Hetimi i finalizuar me 8 masa sigurie kishte në thelbin e tij disa procedura tenderuese të AKSHI-t, me vlerë miliona euro.
Sipas SPAK, të dyshuarit, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë kryer veprime të kundërligjshme duke përcaktuar kritere specifike jo të përcaktuara në ligj, për favorizimin e disa kompanive kundrejt të tjerave. Hetimi ka zbuluar se biznesmenët Agasi e Beqiri dhe funksionari i policisë Ismaili kanë përdorur edhe pengmarrjet dhe dhunën për të shmangur kompanitë garuese, që mund t’ju bëheshin pengesë në procedurat tenderuese.
SPAK njoftoi zyrtarisht se të dyshuarit kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.
Po sipas SPAK, të dyshuarit janë përfshirë edhe në pastrimin e parave të përfituara në kundërshtim me ligjin. Me miratim nga gjykata agjentët e BKH ushtruan kontrolle në banesat e të dyshuarve dhe ambiente të tjera tregtare, ku sekuestruarn dokumentacion dhe pajisje elektronike. (A2 Televizion)