Parandalohet një vrasje e planifikuar në Lezhë, në pranga 3 persona

Nga A2 CNN
9 Tetor 2026, 12:35 | Kronikë

Parandalohet një vrasje e planifikuar në Lezhë, në pranga 3

Policia e Lezhës  ka parandaluar një vrasje të planifikuar, duke vënë në pranga tre persona në kuadër të operacionit të koduar “Detajet”.

Sipas policisë, dy prej të arrestuarve lëviznin të armatosur dhe me skafandra me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, ndërsa personi i tretë i ndihmonte të largoheshin nga zona me automjet.

Të tre u ndaluan në aksin “Gjadër-Barbullush”. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 3 pistoleta me krehra e fishekë, si dhe automjetin dhe motomjetin e përdorur në këtë rast.

Të arrestuarit janë Elden Tarja; Kristian Ymeri(Shkambi) dhe Vinçesk Piroli të moshës 25, 34 dhe 38 vjeç. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lezhë/Puna e mirëorganizuar dhe e shpejtë policore parandalon një vrasje

Finalizohet operacioni i koduar “Detajet”.

Vihen në pranga 3 shtetas, të cilët, në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar  të kryenin vrasjen.

2 prej tyre, të armatosur dhe me skafandra, lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, për të kryer krimin.

Shtetasi tjetër, bashkëpunonte me ta, duke i ndihmuar që të largoheshin me automjet nga zona ku  kishin planifikuar të kryenin vrasjen.

Sekuestrohen 3 armë zjarri (pistoleta), si dhe automjeti dhe motomjeti i përdorur në këtë rast.

Si rezultat i punës së mirëorganizuar operacionale të specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të intensifikimit të punës operative dhe kontrolleve, me objektiv madhor parandalimin e ngjarjeve kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Detajet”.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit E. T., 25 vjeç, banues në fshatin Barbullush, K. Y. (Sh.), 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe V. P., 38 vjeç, banues në Kurbin (shtetas me precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë shtetit).

Menjëherë pas marrjes së informacionit se në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë” dy shtetas me skafandra, të cilët lëviznin me motomjet, kryenin lëvizje të dyshimta, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe shkuan në zonën e sinjalizuar.

Si rezultat i patrullimeve komplekse dhe krehjes së zonave ku dyshohej se kishte lëvizur motomjeti, në Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush”, u ndalua automjeti tip “Volksëagen”, me të cilin po lëviznin shtetasit V. P. dhe K. Y. (Sh.), të konstatuar më parë duke lëvizur me motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”. Këta shtetas shoqëroheshin në automjet nga bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E.T., drejtuesi i automjetit,  me qëllim largimin nga zona ku kishin planifikuar vrasjen.

Gjatë kontrollit fizik, të motomjetit dhe në banesën e shtetasit E. T. dhe përreth saj, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta), me krehra dhe fishekë, municion luftarak, motomjeti i dyshuar i përdorur për rastin, çelësat e të cilit iu gjetën shtetasit 34-vjeçar.

Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos