
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e Antoneta Malos për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim për një periudhë prej 6 muajsh.
Sipas njoftimit zyrtar, me vendimin e datës 9 tetor 2026, gjykata vendosi që ekzekutimi i dënimit të shtyhet nga 9 tetori 2026 deri më 9 prill 2027. Dënimi ishte dhënë në tetor 2025 dhe u la në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 5 tetor 2026.
Kërkesa e Malos ishte paraqitur pranë gjykatës më 5 tetor 2026 dhe u shqyrtua nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela.
Në argumentin e paraqitur nga avokati i saj është nevoja për t’u kujdesur për 2 fëmijët e vegjël.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda pesë ditëve nga dita e nesërme e njoftimit.
Antoneta Malo është dënuar në lidhje me mashtrimin përmes call center-ave dhe aktualisht është në kërkim.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Kërkuesja Antoneta Malo (Pepkolaj) më datë 05.10.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Shtryrjen e ekzekutimit të vendimit nr. 66, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lënë në fuqi me vendimin nr. 51, dt. 05.10.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar...”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 471 dhe 476/1 shkronja “c” të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 679, datë 09.10.2026, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj).
2. Shtyrjen e ekzekutimit të dënimit që i është caktuar kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj) me vendimin nr. 66, datë 27.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i lënë në fuqi me vendimin nr. 51, dt. 05.10.2026 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për një periudhë kohore prej 6 (gjashtë) muaj, duke filluar nga data 09.10.2026 deri në datën 09.04.2027.
3. Shpenzimet gjyqësore i lihen në ngarkim kërkueses (të dënuarës) Antoneta Malo (Pepkolaj).
4. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
5. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 5 ditëve, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 09.10.2026 (A2 Televizion)