Pas raportimit vjetor në KLP, kryeprokurori Çela zbulon si do "filtrohen" krimet zgjedhore

Nga Armand Bajrami
29 Prill 2025, 19:29 | Kronikë

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, tha se filtri i parë i çdo parregullsie apo krimi zgjedhor që lidhet me 11 majin, do të bëhet në zyrën e përbashkët mes SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. 

“Kur ka një ankesë, ka një konstatim, ka identifikim të një problemi, i cili mund të jetë i natyrës administrative, por edhe penale. Në këtë moment, sapo behet vlerësimi i duhur i informacionit, duke qenë se aty kemi prezent prokuror të SPAK dhe prokuror të Prokurorisë së Përgjithshme, vlerësohet kompetenca lëndore dhe menjëherë ky material i kalon prokurorisë kompetente. Pra nuk kemi humbje në kohë dhe filtrimi i informacionit bëhet cilësor që në momentet e para”, tha Çela.

Sipas kryeprokurorit Çela, prokuroritë e rretheve ju kanë vënë zyra në dispozicion agjentëve të BKH-së, pjesë të grupeve të Task-Forcës së SPAK kundër krimeve zgjedhore në mbarë vendin dhe se para 11 majit do të shtojë “armatën” e prokurorëve të gatshëm në çdo prokurori.  

“Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, duke qenë se mund të një rritje të problemeve, denoncimeve, parashikohet që në listat e gatishmërive të shtohet numri i prokurorëve”, theksoi ai.

Më herët gjatë raportimit vjetor të punës për vitin 2024 para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Çela nënvizoi si shqetësim vakancat në sistem për shkak të vetingut, sipas tij 35 % më pak prokurorë se organika, por edhe mangësinë e zyrave në godinat e disa prokurorive. 

“Edhe nëse sot do ta zgjidhnim çështjen e prokurorëve të Prokurorisë së Tiranës, pra 30 prokurorë të rinj, ne nuk do të kishim zyra për ta. Kaq i mprehtë është problemi”.

I pyetur nëse prokurorët e zakonshëm kanë presion të jashtëm, si ai i pretenduar nga Prokurorët e SPAK, kryeprokurori Çela tha se për shkak të çështjeve që trajtojnë prokurorët e Juridiksionit të Përgjithshëm janë më pak të ekspozuar, por sipas tij, kuadri ligjor i siguron mbrojtje prokurorëve për të ushtruar detyrën edhe në kushte të presionit.

"Kjo është puna e prokurorit, këto janë vështirësitë e punës që ne kemi". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos