Pa kaluar 48 orë nga qëndrimi i tij 5-orësh në SPAK, si një deputet që dha deklarime si person në dijeni, të premten deputeti i dorëhequri tashmë, Jurgis Çyrbja, mbërriti sërish në godinën e xhamtë.
Këtë herë i shoqëruar nga një avokate. Burime jozyrtare pranë SPAK, bënë me dije se ish-deputetit Çyrbja iu komunikua akuza e “shpërdorimit të detyrës”.
Zyrtarisht SPAK i tha A2 CNN se “nuk kishte asgjë për të ndarë me median”. Sipas burimeve, ish-ligjvënësi socialist u mor i pandehur për me një praktikë të firmosur prej tij në vitin 2014, kohë kur mbante detyrën e drejtuesit të hipotekës së Durrësit, pas dyshimeve se ka shkaktuar një mbivendosje prone.
Jashtë SPAK, Çyrbja zgjodhi të mos ndajë detaje për akuzën. Në lidhje me dorëzimin vullnetar të mandatit gjatë së enjtes, Çyrbja përsëriti se e kishte bërë për arsye shëndetësore. Hetimi që çoi në ngritjen e një akuze ndaj ish-deputetit nisi pas një kallëzimit të bërë nga deputeti demokrat Edi Paloka para zgjedhjeve të vitit 2021.
Paloka kallëzoi disa drejtorë lokalë në Durrës për “shpërdorim të detyrës”, “korrupsion” dhe “kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”. (A2 Televizion)