Atentati në Lundër, kamerat fiksuan autorët në zonë edhe dy ditë para ngjarjes

Nga A2 CNN
21 Prill 2025, 17:23 | Kronikë

Objektivi i atentatit në Lundër, dyshohet të jetë mbajtur nën vëzhgim edhe ditë para se të ndodhte ngjarja, ku u plagosën 4 persona, 2 prej të cilëve të mitur.

Për të bërë identifikimin e atentatorëve, grupi hetimor është përqendruar te pamjet e kamerave të sigurisë.

Burimet bëjnë me dije se pas analizimit të tyre është zbuluar se autorët e dyshuar, ende të paidentifikuar për shkak të errësirës, kanë lëvizur po në të njëjtën zonë edhe përgjatë dy ditëve para se të ndodhte atentati.

Kamerat kanë fiksuar lëvizjet e tyre gjatë ditës së martë e të mërkurë, kryesisht në orët e mbrëmjes. Kjo ka ngritur dyshimet se objektivi të jetë mbajtur nën vëzhgim të plotë nga autorët, si dhe zona të studiohej më së miri prej tyre.

Pas ngjarjes, atentatorët u larguan prej vendngjarjes me motor, i cili u gjet i djegur në fshatin Fikas, në Mullet, në periferi të Tiranës. Në të nuk janë përftuar prova që mund të ndihmojë grupin hetimor për shkak se ishte shkrumbuar i tëri.

Si pistë kryesore vijon të jetë ajo e ngatërrimit të objektivit për një germë të vetme në targën e mjetit, dhe shënjestër të ketë qenë bashkëshortja e Roan Brahimit i vrarë vitin e shkuar në Greqi dhe një orë para atentatit në Lundër, në Lezhë iu ekzekutua babai, Gjovalin Prendi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos