Të hënën e tretë të korrikut, ish-kryeministri Sali Berisha, kishte punë edhe me SPAK–un, ku duhet të paraqitej në zbatim të masës së sigurisë, edhe me Gjykatën e Posaçme, ku zhvillohej seanca e dytë e dosjes “Partizani”.
Lideri demokrat kaloi dy herë veç pragun e SPAK, ndërsa nuk shkoi në gjyqin ku akuzohet për “korrupsion”, duke ia lënë në dorë përfaqësimin avokatëve. Berisha shënjestroi kreun e Strukturës së Posaçme, Altin Dumani, që sipas tij, kishte regjistruar pa emër hetimin e dy kallëzimeve kundër gjyqtares Irena Gjoka.
“Se po të hapej me emër, Irena Gjoka nuk mund të rrinte asnjë ditë të vetme në sistemin e drejtësisë. Ajo ka kryer një seri veprash, ka mashtruar, është përzënë dhe është e dënuar me burg. Ka fshehur, falsifikuar. Edhe ajo që, nuk them se në rrafshin ligjor, por moral, që pasi i mori burrin, shkoi edhe mori edhe 60 mln lekë shpërblim”, tha kryedemokrati.
Berisha tha se nuk kishte kundërshti për treshen e gjyqtarëve të dosjes “Partizani”, që do të shqyrtojnë akuzat ndaj tij, dhëndrit Jamarbër Malltezi dhe gjashtë të bashkëpandehurve, por shprehur rezerva për pavarësinë e gjyqtarëve të posaçëm.
Ndërkohë, në seancën që kishte nisur teksa ish-kryeministri fliste para SPAK, avokatët e tij kërkuan përjashtimin e të tre anëtarëve të trupit gjykues.
“Gjithë gjyqtarët e kësaj gjykate nuk gëzojnë statusin e gjykatës së pavarur e të paanshme, për shkak se kjo është një gjykatë që është nën vëzhgimin, përgjimin, frekuent telefonik të gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre, pa garanci juridike, pa garanci procedurale, thjeshtë me konstatim, me një mendim të një oficeri të BKH dhe SPAK. Pra njëra nga palët në proces, ka në kontroll gjykatën”, tha Gjokutaj.
Për këtë shkak, avokatët e Berishës kërkuan një trupë të përbërë jo nga gjyqtarë të posaçëm, por nga gjyqtarët e gjykatave të juridiksionit të zakonshëm. Përveç kërkesës së avokatëve të Berishës, avokati i një prej shoqërive tregtare, të pandehura në proces, kërkoi kohë për t’u njohur me aktet, gjykata vendosi të ndërpresë dhe shtyjë seancën për më 15shtator. (A2 Televizion)