Policia e Elbasanit ka arrestuar Denis Hasallën, vëllain e deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Hasalla, pasi në banesë iu gjet një sasi municioni luftarak, shkruan A2 CNN. Gjatë operacionit policor u arrestua edhe Bledar Çullhaj, pasi iu gjet një armë e ftohtë në banesë.
Gjatë ditës së hënë, Policia ka kryer 14 kontrolle me kërkesë të prokurorisë së Elbasanit, e cila po kryen hetime lidhur me abuzimin financiar në inceneratorin e Elbasanit, që administrohet nga shoqëria "ECO-ELB".
Në fokus të kontrolleve kanë qenë banesa e administratorit të "ECO-ELB", Leli Kraja, disa zv/kryetarëve të bashkive lokale të qarkut Elbasan, disa drejtorëve juridikë të bashkive dhe drejtorëve të Financave, shkruan A2 CNN.
Kontrollet vijnë në një kohë kur prokuroria e Elbasanit, ka ezauruar fazën e marrjes në pyetje të 43 personave, për llogari të një hetimi që është regjistruar për veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Keqmenaxhimi i mbetjeve". (A2 Televizion)