
Një punonjës policie është arrestuar në flagrancë pas përfshirjes në një aksident rrugor me të plagosur në Tiranë, ndërsa rezultoi edhe në gjendje të dehur.
Sipas njoftimit të Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në pranga ka rënë inspektori me iniciale D. Gj., me detyrë trupë shërbimi pranë Njësisë së Ceremonialit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai dyshohet për veprat penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:25, në zonën e njohur si “Rruga e Dibrës”, ku automjeti i drejtuar nga efektivi është përfshirë në një aksident, për pasojë është dëmtuar shtetasja me iniciale E. M., e cila u transportua në Spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, shkruan A2 CNN.
Pas aksidentit, punonjësi i policisë është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kapur më pas në afërsi të Urës së Babrrusë. Verifikimet me testin e alkoolit treguan se ai kishte një nivel prej 1.03 mg/l alkool në ajrin e nxjerrë. (A2 Televizion)