Mbi 8 mijë bimë kanabisi janë asgjësuar nga policia në zonën malore të Shkodrës. Policia bën me dije se gjatë operacionit “Koordinata” janë proceduar penalisht për shpërdorim të detyre 5 kryetarë fshatrash.
“Në territorin e njësive administrative Pult dhe Shosh, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 7073 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Ndrejaj, shtetasin N. V.; për kryetarin e fshatit Lekaj, shtetasin P. S.; për kryetarin e fshatit Nicaj, shtetasin V. V.; për kryetarin e fshatit Plan, shtetasin N. Sh.; dhe për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzim krimi”, për kryetarin e fshatit Kir, shtetasin P. H. Në territorin e njësisë administrative Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 780 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në territorin e njësisë administrative Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 175 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa”, njofton policia.
Sakaq, vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike. (A2 Televizion)