
Drejtori i ri i Policisë së Shtetit Skënder Hita ka nisur spastrimet e para në Policinë e Shtetit. 7 punonjës policie janë pezulluar sot nga detyra pasi dyshohet se nuk kanë zbatuar ligjin në lidhje me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në Kurtaj të Peqinit.
Kujtojmë që fundmi në këtë fshat u zbuluan magazina me kanabis sativa. Mes të pezulluarve janë shefi i Komisariatit të Policisë Peqin, si dhe shefi i Krimeve në Volum, po në këtë qytet.
Në njoftimin për mediat thuhet:
"Drejtoria e Standardeve Profesionale filloi hetim disiplinor, në zbatim të nenit 121, pika 1, germa “i”, të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, “Moszbatim haptazi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale”, për punonjësit e Policisë:
Komisar A. G., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin;
Komisar D. K., me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar S. D., me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Inspektor M. Z., me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar B. L., ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll;
Komisar D. S., ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll;
Inspektor A. K., ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.
Për këta punonjës, për mangësi të konstatuara gjatë përmbushjes së detyrës, bazuar në nenin 163, pika 3, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 112, datë 24.02.2025, u bë pezullimi disiplinor nga detyra."
(A2 Televizion)