
A2CNN ka zbardhur disa nga deklaratat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, gjatë seancës së mbajtur sot në Gjykatën Administrative.
Në fjalën e tij para gjykatës, Veliaj theksoi se nuk kërkon mëshirë dhe se fokusi i tij është te puna e bërë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës. “Dua ta theksoj se nuk jam këtu për mëshirë, për dramën në familjen time. Dua të theksoj çfarë i solli kjo Bashkisë Tiranë,” u shpreh ai.
Kryebashkiaku vuri në pikëpyetje edhe mënyrën se si është ndjekur çështja ndaj tij, duke deklaruar se është kallëzuar nga një person anonim. “Unë jam kallëzuar nga një anonim. Nesti Angoni nuk ekziston,” tha Veliaj, duke e cilësuar rastin si të pazakontë dhe të paprecedentë.
Ai shtoi se gjatë procesit ka konstatuar shkelje procedurale, duke përmendur vonesën në regjistrimin e procedimit. “Është rasti i vetëm që afati dyjavor për regjistrim procedimi është tejkaluar dhe çështja është regjistruar pas 7 muajsh,” deklaroi ai.
Veliaj e cilësoi të gjithë situatën si një “kurth të paprecedentë”, duke shtuar se ajo që po ndodh është “material për Netflix”. Në fund, ai ngriti pyetjen mbi dëmin që pretendohet të ketë shkaktuar, duke përmendur investimet në qytet, si mbjellja e pemëve dhe ndërtimi i shkollave.
Sipas Veliajt, situata në bashki është përkeqësuar ndjeshëm, duke theksuar se “buxheti i Bashkisë Tiranë është realizuar 20 për qind. Nuk firmos më njeri atje. Nuk është realizuar buxheti.”
Ai shtoi se shërbimet bazë janë prekur, duke deklaruar se “plehrat janë sheshit. Kush firmos urdhër shtesë? Nuk është hapur asnjë kopsht në Tiranë.”
Veliaj u ndal edhe te programet sociale, duke përmendur ushqimin në shkolla. “Dreka në shkolla, e kisha lënë të miratuar, impakton 170 mijë fëmijë. Mbetën pa drekë se nuk firmos më njeri,” tha ai.
Në përfundim, ai e përshkroi situatën si një regres për qytetin: “Një qytet që po shkonte veç lart, shkoi dhe u shkatërrua çdo gjë.”
(A2 Televizion)