Tre pjesëtarë të organizatave kriminale janë ekstraduar nga Tirana drejt Italisë, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘The Wanted’.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se ekstradimi i tyre u krye në bashkëpunim solid ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shkruan A2 CNN.
Po ashtu bëhet e ditur se dy prej të ekstraduarve janë të akuzuar për trafik droge nga Gjykata e Bershias, ndërsa i treti për vjedhje nga Gjykata e Milanos. Shtetasit e ekstraduar janë Ervin Dema, Edmond Zhuja dhe Klaus Nikolli.
Njoftimi i Policisë:
Interpol Tirana-Ekstradohen në Itali, 3 pjesëtarë organizatash kriminale.
Në vijim të bashkëpunimit solid ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u finalizuan në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, procedurat për ekstradimin nga Shqipëria, në Itali, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë:
-E. D., 40 vjeç, pasi akuzohet nga Gjykata e Breshias, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale;
-E. Zh., 41 vjeç, pasi akuzohet nga Gjykata e Breshias, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale;
-K. N., 33 vjeç, pasi akuzohet nga Gjykata e Milanos, për veprën penale “Vjedhja në rrethana rënduese”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. (A2 Televizion)