
Një 44-vjeçar është paraqitur në orët e para të mëngjesit të sotëm në spitalin e Sarandës, i plagosur në këmbë me armë gjahu. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:45.
Burime zyrtare bëjnë me dije se i plagosuri është shtetasi S. H., banues në fshatin Markat, i cili ka deklaruar se është qëlluar aksidentalisht nga një gjuetar ende i paidentifikuar, në zonën ndërmjet fshatrave Shalës–Vagalat, Bashkia Konispol. Mësohet se gjendja shëndetësore e tij është jashtë rrezikut për jetën, shkruan A2 CNN.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se 44-vjeçari është shpallur në kërkim për veprën penale “Keqtrajtim i të miturve”. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si dhe për verifikimin e versionit të dhënë nga i dëmtuari. (A2 Televizion)