Njëlloj si në filma. Ajo që në pamje të parë dukej garderobë e zakonshme në një dhome gjumi, ishte në të vërtetë maskim i një dere sekrete, që të çonte në një dhomë të fshehtë.
Në këtë dhomë të ndërtuar brenda një banesë në rrugën “Myslym Keta” në Tiranë, Ylli e Pjerin Brahimaj, babë e bir, të arrestuar të shtunën nga Antitrafiqet e kryeqytetit, kishin ngritur një laborator të prodhimit të dokumenteve të falsifikuara.
Përmes pajisjeve digjitale e mekanike ata prodhonin pasaporta, kartat identiteti, patentat e deri tek certifikatat e pronësisë. Pas zbulimit të laboratorit të babë e bir, ku u futën duke e shpërthyer derën hyrës, policia vërejti se porta sekrete kishte një mekanizëm të sofistikuar për hapjen.
Mekanizmi inteligjent i hapjes së derës sekrete bazohej në një çelës të zakonshëm dritash dhe një prizë. Që dera sekrete të hapej, nevojitej që më parë në prizë të ishte futur një karikues telefoni. Më pas, me shtypjen e çelësit dera hapej.
Ylli Brahimaj angazhohej në këtë laborator të dokumneteve false, ndërkohë që vuante një masë sigurie “arrest në shtëpi” nga Gjykata e Posaçme, i dyshuar nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në falsifikim të dokumenteve.
Burime pranë policisë thonë se laboratori grupit i zbulohet për herë të parë, duke kompletuar në këtë mënyrë me prova shtesë edhe procedimin penal të SPAK.
Sipas hetuesve, prodhimi i një pasaporte të falsifikuar me shtetësi të huaj në këtë laborator arrinte në vlerat nga 15.000 deri në 20.000 euro dhe se dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA.
Në hetim nga Antitrafiqet u mor edhe një 62-vjeçar, i cili jo shumë larg shtëpisë ku ishte ngritur laboratori, kishte një studio grafike, ku babë e bir bënin modifikimin e fotove dhe formularëve për t’i falsifikuar. (A2 Televizion)