
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për ish-policin Ludjan Zaimi, i cili vrau kolegun e tij brenda komisariatit numër 3 në Tiranë. Zaimi u dënua me 30 vite burgim nga Gjykata e Apelit me juridiksion të përgjithshëm, shkruan A2 CNN. Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 maj 2023, ku Zaimi vrau kolegun Çaush Saliasi.
NGJARJA
Efektivi 27-vjeçar me origjinë nga Skrapari, Ludian Zaimi qëlloi gjashtë herë në drejtim të kolegut të tij 30 vite më të madh, Çaush Saliasi.
Ngjarja ndodhi para se efektivët e komisariatit Numër 3 të merrnin shërbimin e turnin të tretë, pas një konflikti verbal.
Efektivi i Patrullës së Përgjithshme, pretendoi pas ngjarjes se ishte bullizuar dhe fyer në vijimësi prej Saliasit. Ai ishte punonjës i Patrullës së Përgjithshme, prej gati 1 viti e gjysmë.
Plumbat e armës së tij ranë mbi efektivin tjetër të patrullës Çaush Saliasi, i cili mbante uniformën e policisë prej më shumë se 20-vitesh.
Gjithçka ndodhi pak para se dy efektivët të merrnin shërbimin e turnit të tretë. Plagët e rënda i morën jetën Saliasit, ndonëse u dërgua për ndihmë në spital.
“Më ofendonte shpesh. Edhe mbrëmë vazhdoi me këtë. Nuk durova dot më”, mësohet të ketë treguar i riu, i cili ka shfaqur pendesë pas krimit. Referuar dëshmive të punonjësve të tjerë të policisë të pranishëm në ngjarje, i riu i është drejtuar 55-vjeçarit me fjalët “si do e lemë bashkë” dhe më pas e qëlloi disa herë me pistoletë.
Të njëjtët kanë rrëfyer se i riu nuk është ankuar për ndonjë problematikë, por ka qenë tip i mbyllur me kolegët. Në banesën e 27-vjeçarit u gjetën medikamente antidepresantë, si edhe u krijuan dyshime se ai ka pasur kontakt me një mjeke të shëndetit mendor. (A2 Televizion)