
Edhe pse pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit mbeten ndër më të ulëtat dhe rritja e tyre për këtë vit ishte modeste, efektivët nuk do të përfitojnë në masë as nga shpërblimet e fundvitit.
Burime për A2CNN bëjnë me dije se fondi i kufizuar që do të jepet pritet të shpërndahet në mënyrë preferenciale, duke shkuar kryesisht te drejtuesit dhe shefat, ndërsa efektivët e thjeshtë mbeten jashtë këtij përfitimi.
Kjo situatë ka sjellë pakënaqësi në radhët e punonjësve, të cilët shprehen se shumë pak prej tyre do të përfitojnë, ndërsa pjesa më e madhe e shpërblimeve përfundon tek drejtuesit dhe shefat.
Ndërkohë, Drejtoritë Vendore të Policisë nuk kanë dhënë asnjë sqarim zyrtar mbi kriteret e shpërndarjes.
Nuk dihet ende nëse vlerësimi do të bazohet në performancën dhe rezultatet në punë, në integritetin dhe imazhin policor, apo thjesht do të jetë një ndarje formale për shefat, pa marrë parasysh situatën e efektivëve të thjeshtë. (A2 Televizion)