Gjykata e Shkodrës ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e një apartamenti në qytet nën dyshim se i përkiste një të dënuari për trafik droge në SHBA.
Apartamenti i sekuestruar, me sipërfaqe 103.4 m², në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër, mendohet se i përket shtetasit Leonard Kolë Mnela.
“Nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi L. M (alias L. K alias L.K alias L.M), i datëlindjes 14.03.1969, në bashkëpunim me shtetasen J. N, dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të sipërcituar. Sipas provave të administruara, pasuria është blerë nga shtetasja J. N me fonde të dyshuara të ardhura nga veprimtari kriminale, të transferuara më parë nga shtetasi L.M. Po ashtu, kjo shtetase nuk rezulton të ketë burime të ligjshme të të ardhurave që të justifikojnë investimin”, tha prokuroria.
Sipas autoriteteve Mnela është dënuar nga Gjykata e Distriktit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Distrikti Jugor i Nju-Jorkut, për vepra penale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, ky shtetas ishte në kërkim nga Interpol Roma pasi me vendimin nr.71/05 1044/05R.G.C.A, datë 07.10.2005 të Gjykatës së Apelit të Salernos është dënuar me 25 vjet burg për veprat penale të “Organizatë kriminale, drogë, pengmarrje, heqje e paligjshme e lirisë dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. (A2 Televizion)