Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka firmosur një valë shkarkimesh dhe emërimesh të reja në radhët e drejtuesve vendorë të policisë, pas vlerësimit të performancës të kryer nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në DPPSH, shkruan A2 CNN. Me motivacionin “performancë e dobët”, janë shkarkuar drejtues të rëndësishëm në Lezhë, Dibër dhe Kamëz. Konkretisht, nga detyra janë larguar Drejtori i Policisë Lezhë, Altin Mena, si dhe zëvendësdrejtori për Rendin në këtë drejtori, kryekomisar Taulant Gjoka.
Po ashtu, është shkarkuar shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, Mariglen Duçi, dhe shefi i Komisariatit të Policisë Kamëz, Besmir Dervishi. Edhe pse policia deklaron se shkarkimi i shefit të komisariatit të Kamzës ka ndodhur për performancë të dobët, e vërteta qëndron ndryshe. Shkarkimi i tij është bërë pasi ditë më parë është përfshirë në një incident në një lokal në Tiranë.
Ndërkohë, kryepolici Proda ka komanduar në detyrën e Drejtorit të policisë Lezhë, zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit, Kujtim Gjokën. Paralelisht me shkarkimet, janë firmosur edhe emërime të reja në Tiranë dhe në disa qarqe të vendit. Altin Mena është emëruar zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike në Kukës, ndërsa Taulant Gjoka do të drejtojë Sektorin e Sigurisë Publike në Shkodër. Mariglen Duçi është emëruar shef i Sektorit për Hetimin e Krimeve në Kukës, ndërsa Besmir Dervishi shef i Seksionit të Krimeve ndaj Pronës në Tiranë. Po ashtu, Ervis Gjoshi është emëruar shef i Komisariatit të Policisë Dibër, ndërsa Sentilian Ndreu do të ushtrojë përkohësisht detyrën e shefit të Komisariatit nr. 5 në Tiranë.
Sipas burimeve zyrtare, procesi i vlerësimit të performancës do të vijojë edhe në struktura të tjera të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, burime për televizionin A2 CNN bëjnë me dije se gjatë muajit janar pritet një “furtunë” ndryshimesh në polici, ku pothuajse të gjithë drejtorët e qarqeve mund të zëvendësohen. Ndryshime priten në qarqe si Korça, Elbasani, Kukësi dhe Fieri, por lëvizjet mund të prekin edhe qarqet e mëdha si Tirana dhe Durrësi. (A2 Televizion)