Prej vitesh në “ferrin” sirian, kthehen nga kampi “Al Hol” në Shqipëri 3 të mitur e 2 gra

Nga Armand Bajrami
26 Gusht 2026, 19:06 | Kronikë

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, pesë shtetas shqiptarë, tre të mitur dhe dy gra, prekën tokën shqiptare në Rinas, duke lënë pas vite peripecish të kaluara në kampin famëkeq të Al Hol në Siri. Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme njoftuan se ky ishte operacioni i radhës i suksesshëm për riatdhesimin e shqiptarëve të mbetur në zonat në konflikt apo kampet në Siri.

Në Rinas të riatdhesuarit u pritën nga Ministri i Brendshëm, kreu i Policisë së Shtetit dhe Koordinatorja Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Mes të riatdhesuarve ishte e moshuara Hajrie Taushani. 12 vjet më parë, Taushani, sot 79 vjeç, udhëtoi drejt Sirisë për t’u kujdesur për nipërit e saj, pasi babai i tyre, biri i saj, Sherif Taushani, humbi jetën në këtë vend, teksa luftonte krah formacioneve të organizatës terroriste ISIS.

Pas rënies së ISIS, Hajrie Taushani ka qëndruar në kampin Al Hol, në kushte veçanërisht të vështira jetese, duke vijuar të kujdesej për fëmijë të mitur, përfshirë edhe dy fëmijë jetimë që ndodheshin nën kujdesin e saj.

Gruaja tjetër e riatdhesuar ishte Myrvete Dibra, e përmendur ndër vite në raportimet mediatike mbi gratë shqiptare të mbetura në Siri. Ajo ka udhëtuar drejt këtij vendi gjatë ekzistencës së ISIS, ku ka qenë edhe bashkëshorte e malazezit Hamid Beharoviç, i cili është dënuar nga drejtësia e vendit të tij për pjesëmarrje në formacione të huaja të armatosura.

Nëntorin e vitit 2020, A2CNN ka publikuar audio-mesazhe të Dibrës nga Al Hol, disa nga të cilat u interpretuan nga familjarët e saj si të dhëna nën presion nga të tjera gra ekstremiste në kamp.

Pas mbërritjes në Rinas, 5 të riatdhesuarit iu nënshtruan ekzaminimeve shëndetësore dhe më pas u shoqëruan drejt strehave të rehabilitimit.

Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë, Edi Rama, e konsideroi operacionin e riatdhesimit si “një detyrim njerëzor dhe shtetëror, për t’u garantuar një fillim të ri nën mbrojtjen e institucioneve shqiptare”.

Ky operacion, i disati në vazhdën e riatdhesimit të shqiptarëve të mbetur në Siri, e çon në 43 numrin e të riatdhesuarve, ndërkohë që mendohet që në këtë vend të ndodhen edhe të paktën 17 shqiptarë të tjerë.

Gratë e riatdhesuara i janë nënshtruar edhe proceseve gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për veprën penale të “pjesëmarrjes në veprimtari luftarake në një shtet të huaj”, ku janë dënuar kryesisht me Shërbim Prove.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos