Prokuroria e Posaçme, SPAK, i kërkoi gjykatës të shpallë fajtorë dhe të dënojë me 39 vite burg në total shtatë të pandehur të dosjes “5D”, mes të cilëve tre ish-drejtorë të instiutucioneve të varësisë së Bashkisë Tiranë.
Ish-drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato akuzohen nga SPAK për krijimin e një skeme korruptive, duke fituar tendera në vlera qindra mijëra euro nga institucioni ku ushtronin detyrën, përmes shoqërisë tregtare “5D”, që në të vërtetë zotërohej prej tyre.
Për Strukturën e Posaçme, shtatë të pandehurit duhet të fajësohen për “korrupsion”, “pastrim të pasurisë”, “fshehje të pasurisë” dhe “shkelje të barazisë në tendera” të kryera më shumë se një here, shkruan A2.
Masa më e rëndë e kërkuar nga SPAK ishte për të pandehurin Redi Molla, ish-kreun e UKT, 11 vite burg si përgjegjës për 7 episode korrupsioni, 5 raste mosdeklarimi pasurie dhe akuzën e pastrimit të parave.
Për të pandehurin Mariglen Qato, ish-vartës i Mollës, por edhe ish-kryeinspektor i IMT, SPAK kërkoi 9 vite burg, ndërsa për Taulant Tushën, ish-drejtor i Punëve Publikë në Bashkinë e kryeqytetit 4 vite heqje lirie. Dënime më të buta, si fajtorë për “shkelje të barazisë në tendera” u kërkuan për ish-anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Janku, ndërsa për Nestor Muhametllarin, ish-administrator i “5D” u kërkua dënimi me 7 vite burg.
Për ish-zyrtarët SPAK kërkoi si dënim polotësues heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite, si edhe konfiskim të të gjitha pasurive të tundshme e të patundshme të sekuestruara për llogari të kësaj ccështjeje.
Sipas SPAK, shoqëria “5D”, që kishte për pronarë “de facto” Redi Mollën dhe Mariglan Qaton në përiudhën 2016-2020 ka përfituar 12 procedura tenderuese në shkelje të ligjit, duke realizuar fitime në shumën e gati 193 milionë lekëve të rinj.
Paratë e përfituara përmes punimeve fiktive, sipas SPAK, janë depozituar në gjendje “cash” në arkën e shoqërisë. (A2 Televizion)