Projekti i PS për pagat, Prokuroria kundër, Gjykata e Lartë thirrje Kuvendit

Nga Armand Bajrami
16 Shtator 2026, 19:37 | Kronikë

Prokuroria e Përgjithshme nuk është dakord me projektligjin e propozuar nga Partia Socialiste në Kuvend për rritjen e pagës së magjistratëve. Ndërsa Gjykata e Lartë i ka kërkuar Kuvendit të mos e kalojë atë për shqyrtim dhe miratim në seancën parlamentare të 17 shtatorit.

Përmes reagimeve zyrtare, të dy institucionet kanë pretenduar se drafti i propozuar nuk garanton dhe as nuk reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese të shkurtit 2026.

“Ky projektligj krijon diferenca të pajustifikuara dhe joharmonike mes niveleve të ndryshme të gjykatave dhe prokurorive”, thuhet në qëndrimin që Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar Kuvendit.

Më i ashpër në qëndrimin e tij publik ishte reagimi i Gjykatës së Lartë, e cila pretendoi se procedura parlamentare e ndjekur për projektligjin ishte joserioze, pa transparencë dhe pa integritet.

“Nuk mund të thërrasësh një pushtet kushtetues për konsultim dhe, në të njëjtën kohë, t’i mbash të panjohura elementet mbi të cilat do të marrësh vendimin”, thuhej në reagim.

Më tej, teksa nënvizonte se gjyqësori ka treguar përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje në situatën kur është përballur me bllokimin e pagave, Gjykata e Lartë shprehej:

“Gjyqësori nuk pranon arrogancën e askujt që ushtron pushtetin sikur ai të ishte i pakufizuar dhe i pakontrollueshëm. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka pushtet mbi Kushtetutën dhe nuk ka pushtet të përjashtuar nga kufijtë dhe kontrolli kushtetues”.

Në përfundim, Gjykata e Lartë i drejtohej Kuvendit me pesë kërkesa, mes të cilave respektimin e procedurës parlamentare, publikimin e mendimit të Këshillit të Ministrave mbi efektet financiare, si dhe rivlerësimin e projektligjit në tërësi, në raport me qëndrimet e paraqitura nga gjyqësori.

Mazhoranca ka parashikuar të miratojë ndryshimet ligjore për rishikimin e pagës së magjistratëve në seancën parlamentare të 17 shtatorit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos