Policia e Shtetit ka publikuar videon e momentit të arrestimit të Ergys Agasit, një prej personave më të kërkuar nga SPAK në kudër të dosjes së AKSHI-t.
Burime bëjnë të ditur për A2 CNN se Agasi ishte mbajtur nën vëzhgim dhe ndjekje për më shumë se dy orë sot, ndërsa forcat e policisë kishin planifikuar ndërhyrjen në momentin e përshtatshëm. Prej më shumë se një muaji, strukturat e policisë dhe SPAK kanë qenë në gjurmët e Ergys Agasit, duke e mbajtur nën vëzhgim dhe ndjekje të gjitha lidhjet e tij deri në momentin kur është shfaqur sot dhe kanë realizuar arrestimin.
A2 CNN mëson se Agasi është pikasur fillimisht nga efektivët e Forcës Operacionale në Elbasan dhe më pas ndjekja ka vijuar nga Peqini, Rrogozhina dhe në Durrës, ku edhe është arrestuar në zonën e Plepave.
Për dosjen e AKSHI-t janë nën hetim edhe ish-drejtuesja e institucionit Mirlinda Karçanaj si dhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i arrestuar një muaj më parë në Francë.
Ndaj të hetuarve janë ngritur akuza për disa vepra penale, përfshirë grup i strukturuar kriminal, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme të lirisë, shkelje e barazisë në tendera, si dhe pastrimin e parave. (A2 Televizion)