
Shtetasi me inicialet K. A., 40 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq, u arrestua nga policia lokale për armëmbajtje pa leje dhe për prodhim, posedim dhe shitje të narkotikëve. Ai terrorizonte banorët e fshatit duke qëlluar me kallashnikov në ajër.
I arrestuari ka qenë i dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve. Pas arrestimit të tij në vendngjarje, ku iu gjet arma kallashnikov dhe municion luftarak, policia kontrolloi edhe banesën e tij, ku u gjetën fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues.
Gjithashtu u arrestua edhe një shtetas grek për veprën penale “Moskallëzim krimi”, me inicialet D. P., 48 vjeç, banues në Athinë, me të cilin shtetasi shqiptar bashkëpunonte për të gjetur flori duke përdorur aparatin metalkërkues.
Në njoftimin e Policisë Korçë thuhet:
"Qëllonte me armë zjarri duke terrorizuar banorët dhe duke rrezikuar jetën e tyre; Policia kap dhe vë në pranga 40-vjeçarin. Në pranga edhe një shtetas grek që ishte bashkë me 40-vjeçarin. Sekuestrohen arma e zjarrit tip kallashnikov, municion luftarak, fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Orman një shtetas po qëllonte me armë zjarri duke terrorizuar banorët dhe duke rrezikuar jetën e tyre, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Policisë lokalizuan, neutralizuan dhe vunë në pranga shtetasin K. A., 40 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq, i dënuar më parë për vjedhje dhe për prodhim e shitje të narkotikëve.
Në vendngjarje u sekuestruan arma e zjarrit tip kallashnikov dhe municion luftarak. Gjatë kontrollit në banesën e 40-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën fara kanabisi dhe një aparat metalkërkues, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” edhe shtetasi grek D. P., 48 vjeç, banues në Athinë, i cili ishte bashkë me 40-vjeçarin në momentin kur ai qëllonte me armë zjarri. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi grek kishte ardhur në banesën e 40-vjeçarit për të kërkuar flori me anë të aparatit metalkërkues, i cili dyshohet se ishte sjellë prej tij nga Greqia".
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)