
Policia ka arrestuar 7 persona, shtetas me precedent të theksuar kriminal, që dyshohet të jenë përfshirë në një ngjarje të ndodhur më 10 mars në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në automjetin në pronësi të një shtetasi. Në pranga ranë Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti, Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla, si dhe Sabah Nuzi, aktualisht në IEVP. Sipas “bluve” vendosja e tritolit është porositur nga Sabah Nuzi, i cili ndodhet në burg.
Sekuestrohen biçikleta e përdorur në ngjarje, rrobat e autorit të përdorura gjatë saj, automjetet me të cilat kanë lëvizur të dyshuarit dhe aparatet celularë të tyre.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku në automjetin në pronësi të shtetasit O. K. shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar operacionin policor “Porosia”, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në akse të ndryshme rrugore përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes. Në vijim të veprimeve proceduriale për këtë rast:
-u ndaluan shtetasit J. G., 32 vjeç, R. B., 25 vjeç, K. A., 24 vjeç dhe E. L., 27 vjeç, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim;
-u ndaluan shtetasit G. K., 29 vjeç, D. H., 34 vjeç dhe G. M., 19 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim;
-u bë ndalimi me iniciativë për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” ndaj shtetasit S. N., 33 vjeç, aktualisht në IEVP”, thuhet në njoftim.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi J. G. është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive, i cili është ndihmuar nga shtetasit K. A., R. B. dhe E. L., duke i siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar si dhe sasinë e lëndës eksplozive të vendosur. Ndërkohë, Shtetasi S. N., aktualisht në IEVP Fushë-Krujë, i akuzuar për vepra të rënda kriminale, dyshohet se është personi që ka porositur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e shtetasit O. K. Më tej, shtetasit G. K., 29 vjeç, D. H., 34 vjeç dhe G. M., 19 vjeç, kanë transportuar me automjet, më datë 10.03.2026 autorin e vendosjes së eksplozivit, shtetasin J. G”, thuhet në njoftim. (A2 Televizion)