
Ka ndërruar jetë e moshuar e Azilit të Pleqve në Gjirokastër, pasi u rrëzua nga tarraca e këtij institucioni mesditën e sotme.
Lajmi është konfirmuar për A2 CNN nga Spitali Memorial i Fierit, ku 72-vjeçarja Sheqere Zeko ka mbërritur pa shenja jete në pavionin e traumës. Sipas informacionit paraprak, ajo ka pësuar fraktura në shpatull dhe në këmbë pas rënies nga një lartësi rreth 7 metra, ndërsa po sodiste natyrën në tarracë.
Fillimisht, 72-vjeçarja u transportua me autoambulancë në Spitalin e Gjirokastrës, ku iu nënshtrua ekzaminimeve dhe gjendja e saj u raportua e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë, rreth një orë më pas, gjendja shëndetësore u përkeqësua, duke bërë të nevojshëm transferimin drejt Spitalit Memorial të Fierit për trajtim më të specializuar.
Mësohet se ajo ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejt Fierit. Rrethanat e plota të ngjarjes pritet të sqarohen nga autoritetet përkatëse. (A2 Televizion)