RENEA i arreston pas 12 orësh, dyshohen se bënin propagandë për akte terroriste

Nga Senad Nikshiqi dhe Gazment Janku
25 Nëntor 2025, 15:19 | Kronikë

Fatmirësisht ka përfunduar me një plagosje të lehtë rezistenca prej 12 orësh e dy personave në fshatin Orosh, të cilët kundërshtuan dhe qëlluan me armë ndaj thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar.

Policia e Kukësit në bazë të informacioneve që kishin ndaj dy të dyshuarve se mbanin armë dhe municione në një banesë të braktisur dhe kishin shfaqur adhurime për ish-organizatën terroriste ISIS, organizoi operacionin për ndalimin e tyre.

Por në banesën ku mbanin armët dy të dyshuarit nuk kanë pranuar të dorëzohen duke qëlluar edhe me armë.

Në këto kushte në ndihmë të policisë së Kukësit mbërritën forcat RENEA dhe pas 12 orësh rrethimi dhe negociatash ku u përfshinë edhe familjarë të të dyshuarve, këto të fundit u dorëzuan. Pas shoqërimit të tyre policia gjeti armë municione, granata si dhe një flamur të ISIS, shkruan A2 CNN.

Edhe pse u dorëzuan asnjë nga të ndaluarit nuk ka pranuar të flasë. Ndaj dy të ndaluarve janë ngritur akuzat e “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda përkryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos