Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin D.H., i akuzuar për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ka ndodhur më 17 maj 2010, në krahinën e Larisës, në Greqi, ku shtetasi A.V. u gjet i pajetë, i dhunuar brenda automjetit të tij. Hetimet nisën në vitin 2017, pas kallëzimit të bërë nga xhaxhai i viktimës, i cili kërkonte zbardhjen e ngjarjes.
Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasi D.H. kishte njohje me viktimën dhe se natën e krimit ata ndodheshin së bashku në një bar të administruar nga vetë viktima, ku kishin konsumuar alkool. Të dy janë larguar nga lokali në të njëjtën kohë, shkruan A2 CNN.
Prokuroria ka arritur të provojë se D.H. ka bashkëpunuar me shtetasin B.B., me të cilin kishte komunikime telefonike para dhe pas ngjarjes. Dy të dyshuarit kanë ushtruar dhunë fizike mbi viktimën, duke e goditur në këmbë, duar dhe në pjesë të tjera të trupit, çka ka çuar në vdekjen e tij për shkak të goditjeve të rënda, veçanërisht në kokë.
Pas ngjarjes, ata kanë vendosur trupin e pajetë të viktimës në automjetin e tij dhe e kanë larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima kishte me vete tre çeqe me një vlerë totale prej 150 mijë euro, të cilat dyshohet se ishin motiv për krimin.
Prokuroria shqiptare, pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar, konkludoi se ekzistojnë prova të mjaftueshme që D.H. në bashkëpunim me B.B. kanë kryer vrasje me paramendim, dhe tashmë çështja do të kalojë për gjykim në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. (A2 Televizion)