
Policia e Dibrës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme fishekzjarrësh në 3 dyqane të ndryshme në Peshkopi, që mbaheshin në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara.

“Në vijim të zbatimit të planit të masave, të hartuar në prag të festave të fundvitit, me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të posedimit të lëndëve piroteknike me qëllim shitjen e kundërligjshme të tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, evidentuan 3 dyqane që ushtronin këtë veprimtari të paligjshme. Për këto raste, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit O.D., A.K. dhe D.M., pasi në dyqanet e tyre u gjetën kuti me lëndë piroteknike, të cilat mbaheshin me qëllim shitjen e tyre, në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara”, tha policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)