Sekuestrohen pasuritë e ish-ambasadorit shqiptar në Katar

Nga A2 CNN
25 Korrik 2025, 11:44 | Kronikë

Sekuestrohen pasuritë e ish-ambasadorit shqiptar në Katar

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar një sërë pasurish të paluajtshme dhe të luajtshme të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Katar, Edmond Çaça, dhe bashkëshortes së tij B.C., me dyshimet se ato janë përfituar në mënyrë të pajustifikuar dhe përmes veprimtarive të paligjshme.

Vendimi i sekuestrimit është dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, me vendimin nr. 6047 akti, datë 24 korrik 2025, pas kërkesës së Prokurorisë, e cila veproi mbi bazën e një hetimi të nisur që në vitin 2019, pas kallëzimit të ILDKPI-së, shkruan A2 CNN.

Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2014–2017, kur E.Ç. ka mbajtur detyrën si ambasador në Doha, nuk ka deklaruar të ardhurat dhe pasuritë, përfshirë edhe interesa private që, sipas ligjit, duhej t’i raportonte në ILDKPI. Ndaj tij rëndojnë akuzat për "Fshehje apo deklarim të rremë të pasurisë" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale", parashikuar nga nenet 257/a-2 dhe 287 të Kodit Penal.

Pas një hetimi të thelluar financiar, rezultoi se disa pasuri të tij dhe të bashkëshortes nuk mund të justifikohen me burime të ligjshme të të ardhurave. Si rezultat, Prokuroria regjistroi edhe një procedim pasuror më vete, në kuadër të ligjit për goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit, për sekuestrimin e aseteve.

Pasuritë e sekuestruara janë si më poshtë:

Pasuri të paluajtshme:
1.      Truall në pronësi të E.Ç., me sipërfaqe të madhe dhe disa regjistrime në ZK 8330. Një pjesë e kësaj pasurie është në pronësi të bashkëshortes (10/33).

2.      Apartament 65.5 m², në ZK 3292.

3.      Pyll me sipërfaqe 500 m² në ZK 2380.

4.      Pyll tjetër me sipërfaqe 300 m² në të njëjtën zonë.

5.      Pyll 10.000 m², i kufizuar në favor të E.Ç. dhe B.C., blerë me kontratë me rezervë kalimi pronësie në vitin 2020.

6.      Apartament 52.63 m² në ZK 2364.

Pasuri të luajtshme:
·         Llogari bankare në “Credins Bank” në emër të bashkëshortes, me një shumë prej 90,093.76 euro.

Gjykata e gjeti të bazuar kërkesën e Prokurorisë dhe urdhëroi menjëherë sekuestrimin e pasurive të mësipërme, që pritet të qëndrojnë nën administrim shtetëror deri në përfundimin e hetimeve dhe vendimin përfundimtar të gjykatës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos