Gazetari Igli Çelmeta ka treguar pasojat nga shpërthimi që ndodhi mëngjesin e së mërkurës në një pikë karburanti në Tiranë.
“Shpërthimi ka qenë tejet i fortë, saqë një godinë e cila është në pronësi të karburantit është shembur plotësisht. Banorët e zonës kanë dëgjuar shpërthimin dhe kanë qenë të parët të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë tre punonjësve të mbetur të plagosur nga ky shpërthim. Madje, një nga punonjësit kishte mbetur i bllokuar në godinën njëkatëshe e cila është shembur, por kanë qenë banorët e zonës të cilët e kanë ndihmuar duke e nxjerrë nga gërmadhat dhe më pas është transportuar me ambulancë në drejtim të Spitalit të Traumës, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, tha gazetari në një lidhje direkte me “Dita Jonë” në A2CNN.
“Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm. Mbetjet e godinës janë shpërndarë në të gjithë rrugën, ndërsa xhamat e karburantit kanë mbërritur deri tek trotuari përballë, ku kalojnë biçikletat. Në momentin që ka ndodhur shpërthimi ka pasur edhe automjete të tjera e kalimtarë të rastit, por fatmirësisht pa dëmtime në njerëz”, shtoi Igli Çelmeta. (A2 Televizion)