Pak pa u mbushur viti nga vrasja e 15-vjeçarit Martin Cani tek shkolla 'Fan Noli', një ngjarje e rëndë ndodhi në një gjimnaz afër kryeqytetit.
Tek shkolla “Ibrahim Rugova” në Kamëz dy nxënës u plagosën me thikë në kraharor, shkruan A2.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi Ministrja e Brendshme e cilësoi sigurinë në shkolla si prioritet.
Thikat në duart e fëmijëve kanë shkaktuar një tjetër ngjarje të rëndë, e sërish në perimetrin e institucioneve arsimore. Dy të miturit e plagosur janë të moshës 16 vjeç dhe janë dërguar në Spitalin e Traumës, ku i janë nënshtruar dhe operacionit pas plagëve të marra nga goditjet me thikë. Njëri prej tyre po lufton për jetën, pasi ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa i mituri tjetër ka marrë plagë sipërfaqësore dhe ndodhet jashtë rrezikut.
Në polici janë shoqëruar disa bashkëmoshatarë të dy të lënduarve për të dhënë sqarime mbi ngjarjen, por ata nuk janë treguar bashkëpunues me policinë.
Grupi hetimor ende nuk ka sqaruar zyrtarisht rrethanat dhe dinamikën se si ka ndodhur ngjarja e rëndë.
Burime për A2 CNN bëjnë më dije se në konflikt janë përfshirë të paktën 5 nxënës. Fillimisht, sherri ka nisur në ambientet e oborrit të shkollës, ku të miturit janë konfliktuar verbalisht dhe më pas kanë dalë jashtë shkollës për ta sqaruar në mënyrën më të keqe të mundshme sherrin mes tyre.
Konflikti fizik ndodhi në rrugicën përballë gjimnazit, ku të miturit nga grushtat kanë kaluar në përdorimin e armëve të ftohta si thikat.
Sherri me thika solli plagosjen e dy 16-vjeçarëve dhe tronditjen tek një komunitet i tërë në zonën e Kamzës. (A2 Televizion)