Policia ka zbardhur dinamikën e sherrit të dhunshëm që ndodhi pasditen e djeshme në qytetin e Bilisht, ku një person mbeti i plagosur me thikë.
Në pranga ka rënë një 39-vjeçar si autor i goditjes me mjet prerës dhe një 37-vjeçar, i cili ka ndihmuar personat e përfshirë në konflikt për t’u larguar nga vendngjarja.
Po ashtu janë proceduar penalisht 2 shtetasit që u konfliktuan me 39-vjeçarin.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, menjëherë pas njoftimit të marrë dje, për një konflikt në Bilisht, kanë organizuar punën për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë.
4 shtetasit e dyshuar të përfshirë në konflikt u shoqëruan në Komisariat dhe në përfundim të veprimeve hetimore, specialistëve për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasit:
G. M., 39 vjeç, banues në Bilisht, për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta", "Prishja e rendit dhe qetësisë publike" dhe "Shkatërrimi i pronës";
Y. Xh., 37 vjeç, banues në Bilisht, për veprën penale "Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt".
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale "Shkatërrimi i pronës" dhe "Dëmtime të tjera me dashje", për shtetasit M. B., 37 vjeç, me precedent penal dhe T. Ç., 38 vjeç, të dy banues në Bilisht.
Nga hetimet dyshohet se dje, rreth orës 11:00, shtetasi G. M. është konfliktuar në rrugë, për motive të dobëta, me shtetasit T. Ç. dhe M. B., ka plagosur me thikë, në këmbë, shtetasin T. Ç., 38 vjeç dhe është larguar me automjet.
Më pas, shtetasi Y. Xh., bashkë me shtetasit T. Ç. dhe M. B., ka ndjekur automjetin e 39-vjeçarit dhe në qendër të qytetit, shtetasit T. Ç. dhe M. B. kanë ushtruar dhunë fizike ndaj 39-vjeçarit dhe kanë dëmtuar automjetin e tij, me sende të forta. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi Y. Xh. e drejtonte automjetin, pa leje drejtimi. (A2 Televizion)