Një 46-vjeçar nga Tirana, ka rënë në prangat e Policisë në Dhërmi me akuzën e shitjes së kokainë. Dyshohet se drogën do ta shiste kryesisht në lokalet e natës në zonën bregdetare të Dhërmiut.
Policia ka sekuestruar 126 doza lënde narkotike kokainë, para të përfituara nga shitja e saj dhe një peshore elektronike.
Njoftimi i Policisë Vlorë
DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Reset”, goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Vihet në pranga një 46-vjeçar që shiste kokainë në Dhërmi.
Sekuestrohen 126 doza lënde narkotike kokainë, para të përfituara nga shitja e saj dhe një peshore elektronike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte lëndë narkotike me qëllim shitjeje, kryesisht në lokalet e natës në zonën bregdetare të Dhërmiut, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, operacionin policor të koduar “Reset”, si rezultat i të cilit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
M. M., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në dhomën ku qëndronte ky shtetas, në Drimadhes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 126 doza lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë, 136 400 lekë të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike dhe një peshore elektronike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)